Gjylja kosovare hyn në grupin e pëllumbave të lulkave të cilët janë pëllumba të vegjël.
Zanafilla e tyre vjen nga Azia, më konkretisht kjo zanafillë duhet kërkuar te gjylja e Anatolisë.Pikërisht kjo është stërgjyshja e të gjitha llojeve të gjyleve që njihen në Evropë.
Gjylja e Anatolisë ka ardhur në Evropë rreth vitit 1700 dhe është ruajtur deri më sot në formë të pa ndryshuar . Nga kjo racë rrjedhin lloje të shumta të gjyleve duke e kryqëzuar atë me raca të tjera me sqep të shkurtër. Edhe gjylja kosovare ka ardhur si një kryqëzim në mes të racës së sipërpermendur me pëllumbat autoktonë të Kosovës. Në vendin tonë gjylja zakonisht është përdorur për fluturim,sepse pikërisht këto karakteristika zotëron.
Emri i saj vjen nga fjala gjyle: lëmsh i rrumbullakët prej guri a prej metali, që përdorej në topat e vjetër si predhë apo rruzull metali me peshë të caktuar, që përdoret në garat sportive për ta hedhur me shtytje. Ka një madhësi të vogël duke u nisur nga standarti i përgjithshëm i pëllumbave dhe një formë elegante trupore. Trupi paraqitet i vogël, sqepi i shkurtër dhe mesatarisht i trashë. Nuk ka probleme me rritjen e zogjve. Koka është e gjerë dhe e madhe me një urë mesatarisht të trashë mbi hundën e saj dhe nuk ka xhufkë. Ka një tufë puplash në gjoks që të kujtojnë disa petale lulesh. Gjylja kosovare paraqitet me ngjyra të ndryshme, por ngjyra e bardhë është dominuese. Gjylja mund të ketë ngjyra të ndryshme mbi supe dhe kokë dhe disa prej tyre e kanë bishtin me ngjyra.
Sytë i ka ngjyrë kafe të errët, por mund të paraqiten edhe me ngjyra të tjera. Sqepi duhet të jetë i shkurt dhe i trashë. Qafa duhet të jetë gjithashtu e shkurtër dhe të përcjellë vijën trupore. Ajo shoqërohet me gjoksin e gjerë i cili është i stolisur me puplat dredhake. Shpinën e ka të shkurtër dhe pjerrake. Krahët gjithashtu i ka të shkurtër dhe të mbështetur për bishti i cili gjithashtu është i shkurtër.
Këmbët i ka të shkurtra dhe pa pupla.
Numri i unazës nr.07